Antiant

January 25, 2010

Punë Engjëjsh

Filed under: Punë Engjëjsh — antiant @ 8:22 am
Tags:

– Eja brenda. Ulu. Ti je ai i riu, që pate pengesa? – i tha shefi vartësit që tundi kokën në shenjë pohimi për pjesën që ishte “ai i riu,” por pa qejf për pjesën tjetër të identifikimit.
-Këtu ke detyrën e re.
Vartësi mori fletën nga dora e zgjatur e shefit dhe u ul të lexonte përshkrimin e detyrës. Diku nga mesi i leximit i ngriti sytë nga shefi. Shefi mblodhi supet, që t’i jepte të ditur se radha për koment i takonte atij.
-Është… një lloj zbritjeje në detyrë? – pyeti vartësi.
-Zbritje?! Aspak! Sa t’ia marrësh dorën, do të jesh në këtë departamentin tjetër. Edhe këtu, kërkesa e përkushtimi ka të njëjtën lartësi. Roli i departamentit është po aq vendimtar në ekuilibrin…
Vartësi u çua si duke u lëkundur tek fjala “ekuilibër”. Shefi e la me aq shpjegimin e mërzitshëm dhe duke e përcjellë tek dera, i kujtoi që mbyllja nuk duhej as edhe një sekondë pas orës së caktuar.
Vartësi që në punë njihej me emrin “Engjëlli 512” zbriti në Tokë, ashtu siç zbresin gjithë engjëjt. U sorollat pak nëpër rruzull, se ende s’ishte mësuar mirë, por e gjeti pa u vonuar shumë mashkullin 40 vjeçar të përcaktuar tek detyra. Zbriti dhe iu fut tek pavetëdija, siç futen gjithë engjëjt në trurin e njerëzve. Renditi me kujdes fillestari komandat e shqisave e të nervave, dhe kontrolloi sipas rregullores çelësat që ulnin e ngrinin nivelet e emocioneve të pavetëdijshme. Sytë e 40 vjeçarit sillnin në tru pamje rruge në lëvizje, nga brenda makinës që po ngiste aty në Tokë. Veshët sillnin zhurmën e motorit e muzikën e radios.
“Ndonjë aksident?” mendoi engjëlli duke psherëtirë me bezdi. Duke pasur parasysh statistikat, kontrolloi çelësin e gjumit. Niveli i ndërgjegjshmërisë ishte i lartë. Ai njeri s’do të flinte në timon. Pastaj ktheu kokën nga pas, tek zona e kujtimeve. Kolegët më me përvojë i kishin thënë të mos i fuste duart aty, sidomos tek kujtimet e groposura thellë, sepse vetëm për telashe ishin. Por Engjëlli 512 nisi të rrëmojë kujtimet e lojërave me bijtë, sherret me gruan që përfundonin duke u pajtuar, të qeshura me shokët e familjarët nëpër kafe. Gjëra të zakonshme, por që engjëlli pëlqente t’i rrëmonte. Të rrasur diku në fund, vuri re një këngë të vjetër, që për rastësi të fatit, (të atij fati që dinin ta bënin vetëm eprorët e lartë fare, ata që llogarisnin deri dukuritë natyrore e s’merreshin me çikërrima të tilla) kënga po transmetohej pikërisht tani në radion e makinës. Në kujtime, kënga ishte ngjitur pas gjërash gjimnazi, me një vajzë. Madje kishte emocione që nga niveli ishin shumë më të larta se ato që ky 40 vjeçar i kishte të freskëta tani. Por ja që, për habinë e madhe të engjëllit, shoferi s’e kishte vënë re që po luhej në radio.
“Si mund ta ketë harruar kaq thellë këtë?” pyeti veten Engjëlli 512 tek pavetëdija. Pa orën, u mendua pak dhe pastaj e kaloi vajzën e gjimnazit tek kujtimet e freskëta të vetëdijes. Shoferi e ndjeu, ngriti zërin e radios dhe një afsh ngrohtësie ia ëmbëlsoi aq shumë mendjen, sa Engjëlli 512 mbylli sytë i kënaqur e ndjeu shpirtin t’i mbushej plot. Shoferi kujtonte, lëvizte buzët sipas këngës dhe Engjëlli 512 shikonte krenar se si rritej niveli i emocioneve, pa qenë nevoja t’i prekte fare çelësat. Shoferit iu lëngëzuan sytë në mjaltin e atyre kujtimeve, aq shumë sa makina doli nga rruga dhe u përplas me një pemë. Hekurat u përthyen dhe u ngulën në trup, kockat u shkërmoqën e mishi u shqye brenda një sekonde! Zemra e Engjëllit rrahu po aq fort sa ajo përplasje. Vetëdija e atij njeriu u fik, siç fiket shpejt një llambë. Vetëm pavetëdija, ku po qëndronte engjëlli me kokën e mbështjellë në duar, vetëm ajo po rrinte ende ndezur.
Ambulanca e mori dhe e çoi trupin pa ndjenja në spital, ku dikush kishte njoftuar edhe gruan e shoferit. Mjekët nisën punën me urgjencë, duke i thënë nëpër dhëmbë shoferit të lidhur pas aparaturave: “Mbahu fort! Duro dhe pak.”
Engjëlli 512 pa orën, iu kujtua porosia e shefit dhe u alarmua! Si fluturoi koha aq shpejt?! Edhe 60 sekonda! Ç’të bënte?! S’mund të gabonte prapë! T’i shtypte butonat me radhë? Kë çelës të ngrinte? Kë të ulte? Po kjo?! Një tufë ndjenjash ishin lidhur si fije merimange me kujtimet e fëmijëve e të gruas. Këto nerva të holla, që mezi mbaheshin, arrinin të mbushnin me jetë organet e mbetura në pikën e fundit. Po  t’i shtonte ato fije që e mbanin gjallë, të ngrinte ndonjë çelës a të shtypte një buton, ky njeri do të kthehej tek gruaja e fëmijët. Gjithçka që kishte bërë engjëlli me këngën e mallkuar, mund të zhbëhej ngadalë, me mjekimet e Tokës. Pa orën! S’kishte më kohë! 20 sekonda! 10 sekonda! Engjëlli kapi me duart që i dridheshin nervat e brishta që përçonin jetë, dhe me një tërheqje të vetme, i shkuli të gjitha duke ndërprerë gjithçka! Ashtu si vetëdija, edhe pavetëdija e atij njeriu u fik, siç fiket shpejt një llambë! Aparaturat e spitalit lëshuan tinguj alarmues. Gruaja kërkoi me sy një shpresë të fundit nëpër dhomë, nga kush të mundej, por mjekët ulën kokat.
Me trupin që ende i dridhej, engjëlli ngriti celularin ku po e merrte shefi, por kuja e gruas që bërtiste “Po pse, o Zot, pse?!” e bëri të shkonte pak më andej, në një vend më të qetë, që të dëgjonte shefin që po i thoshte:
-Urime.  Asnjë sekondë më vonë. Tani ekuilibri…
Engjëlli 512 e fiku celularin tek fjala “ekuilibër” dhe shkoi, ashtu siç shkojnë gjithë engjëjt, për të marrë shpërblimin hyjnor.

Advertisements

January 24, 2010

Bota nga poshtë

Filed under: Tregime — antiant @ 3:05 am
Tags:

A e keni parë ndonjëherë botën nga poshtë? Duket shumë keq që aty. Kur them nga poshtë, e kam me kuptimin e plotë të fjalës. Kur ti je poshtë dhe njeriu më i shkurtër në botë, qëndron më lart se ti. Jo kur shtrihesh në plazh e të tjerët janë në këmbë, sepse atje e bëjnë të gjithë. Por në qytet, në mes të një lokali në trotuar, ku të gjithë qëndrojnë lart dhe asnjë nuk shtrihet poshtë. Që aty duket vërtet shumë e shëmtuar. Në fillim nuk e mori vesh si përfundoi aty. Dëgjoi një zhurmë të fortë, ndjeu sikur u përplas me një gjë të mprehtë, ndonjë cep tavoline. Pastaj e shtyu dikush në rrëmujë e sipër e përfundoi poshtë, me fytyrën nga këmbët e një tavoline lokali. Kur u kthye nga ana tjetër, pa se si nga trupi i shokut, që ashtu si ai, ishte poshtë, po zgjerohej një njollë gjaku. Pastaj vuri re që njollës së gjakut të shokut, po i afrohej njolla e vet. Në një pikë, dy njollat u bashkuan. Ai plaku që shiste paketa, plaku më i shkurtër që kishte parë e që shpesh e kishte tallur, tani qëndronte shumë lart. Ai qe i pari që vrapoi tek ata dhe pastaj thirri të tjerët. I thanë të mbahej e të thoshte një fjalë. Thoshin që ishte i tronditur e prandaj nuk fliste. Por në fakt, nuk kishte çfarë të thoshte. S’e kishte parë ndonjëherë botën nga poshtë. Kishte qenë gjithnjë lart. As shoku i tij nuk kishte çfarë të thoshte. Madje, ai nuk kishte as çfarë të shikonte, sepse as sytë nuk po i hapte. Erdhi furgoni i mallrave të atij burrit që rronte për të shitur fruta për një copë bukë. Hoqën disa arka që të bënin vend brenda. Kur i futën, atij ia mbështetën kokën tek një sfungjer i trashë dhe i butë, që tregtari e vinte mes arkave, ndërsa këmbët ia mbuluan me mushamanë që mbulonte domatet. Por shokut… shokut ia mbuluan fytyrën me një batanije me njolla grasoje, madje edhe sytë. Ndërsa këmbët ia lanë zbuluar. Të paktën ashtu iu duk atij, sepse nuk shihte mirë. Plus që dhe bota se si dukej që nga poshtë, e gjitha përmbys.

January 21, 2010

Një lëmsh në fyt

Filed under: Punë Engjëjsh — antiant @ 12:08 am
Tags:

Këmbët mezi i zvarriste mbi trotuar, ndaj stacionit plaku iu afrua ngadalë, me ngadalësi pleqërie. Ai e mbështeti peshën e trupit pas një peme, dhe sytë e lodhur nga pesha e jetës i ktheu nga rruga prej ku do të vinte autobusi. Befas iu zu fryma e sytë iu mbyllën nga dhimbja. Njëra dorë kërkoi qorrazi diçka ku të mbahej, teksa rrëzohej, ndërsa tjetra i shkoi vetvetiu në fyt, tek burimi i dhimbjes. Pasi u përplas në tokë, një djalë i ri iu afrua me vrull, i shqeu  jakën, i nguli thonjtë në mish dhe diçka i kapi në fyt. Plaku s’pati mundësi të kundërshtonte teksa i riu i nxori me shpejtësi nga brenda trupit një masë me trajtë të çuditshme. Nuk ishte mish, dhe pse ngjante, dhe nuk kishte as ngjyrë gjaku. Ngjyra i ndryshonte vazhdimisht, sikur brenda masës po lëvizte pa pushim diçka e gjallë, e mbledhur lëmsh. Sa më shumë ia nxirrte djali, aq më shumë i lehtësohej dhimbja plakut. Frymëmarrja nisi t’i çlirohej. Madje, kur djali i shkuli copëzat e fundit, dhimbja i pushoi fare. Pasi mbaroi, djali e mblodhi me mjeshtëri si topth atë masën e çuditshme, dhe plaku u çua në këmbë i shushatur.
– S’mbaj mend asgjë. S’di as kush kam qenë, as si quhem. S’di ç’kam bërë! -tha plaku duke parë rrotull me hutim.
Djali buzëqeshi i kënaqur, duke i dhënë lëmshit në duar një formë të përkryer sferike. Ngjyra vazhdonte t’i ndryshonte me vrull, sikur të ishte një qenie e gjallë aty brenda, e mbledhur lëmsh, që nuk zinte vend. Plaku ia nguli sytë lëmshit, dhe në ato vërshime ngjyrash, për një çast iu duk sikur shqoi formën e një fytyre, apo të një vendi? Apo ishin shumë fytyra e shumë vende që lëviznin pa pushim?
-Ç’është ajo që më nxore? Mos duket aty brenda se ç’kam qenë, ç’kam bërë? – pyeti plaku e zgjati dorën që t’ia merrte lëmshin,  ta shihte.
Djali ia hoqi dorën e nisi të largohej me nxitim. Plaku e ndoqi nga pas. Djali nisi të vrapojë dhe plaku rendi nga pas, duke vrapuar po aq shpejt sa ai.
-Po prit! Ma jep ta shoh, se s’mbaj mend asgjë! – thërriste plaku duke e shtuar vrapin, pa e vënë re që po arrinte deri në një shpejtësi çnjerëzore. Aq shpejt vraponin të dy, sa kishin dalë nga qyteti e tani po kalonin fushat e periferisë. Këmbët gati sa nuk ua ceknin fare tokën dhe sa hap e mbyll sytë kaluan ara,  rrugë, shtëpiza. Adrenalina e shpejtësisë ia ndezi gjakun dhe pa e kuptuar, thirrjet i dolën më të forta, më buçitëse, më nga thellësia, si me jehonë.
-Ndalo! -bërtiste fort dhe ndjente si zëri i tij mbyste fërshëllimën e erës në veshë, teksa shpejtësia kishte kaluar çdo kufi të imagjinueshëm. Duke vrapuar ata kapërcyen fluturimthi ujëra, shkretëtira, akullnaja, maja malesh që siç vinin, aq shpejt zhdukeshin nga pas. Vrulli ia tejmbushte shpirtin për më shumë, për më shpejt. Por djalin e ri prapë s’po e kapte dot, derisa ai vetë e ndali më në fund vrapin euforik buzë një gremine, ku hodhi fort lëmshin në humnerë, para se ta arrinte plaku!
-Mos!  – i bërtiti djalit që rrinte aty pa folur, duke parë poshtë.
Plaku kokëfortë iu afrua buzës së greminës. Poshtë kishte me miliona, mbase miliarda si lëmshi tij. Një oqean i tërë që ndryshonte ngjyrë, sikur i lëviznin përbrenda miliarda qenie të mbledhura në lëmshe. Plakut iu duk sikur e shqoi të vetin mes turmës. U var në buzën e greminës  e nisi të zbresë, pa ia shqitur sytë lëmshit të vet, nga frika se mos e ngatërronte. S’mund të mos e dinte se ç’kishte qenë, ç’kishte bërë. U kap nëpër cepa shkëmbinjsh, e teksa zbriste, lëmshet nisën të kërcejnë me egërsi, të hidhen përpjetë e të fryhen si dallgë. Ngjyrat që u lëviznin si qenie përbrenda, nisën të marrin trajta. Trajta si njerëz të therur, të vrarë, kockë e lëkurë, të gjymtuar, të aksidentuar, të mbytur, të djegur, të varur, të pushkatuar, të zymtë, të dënuar, të trishtuar, të zhgënjyer, të lënë pas dore, të shkelur me këmbë, të burgosur, të sharë, të poshtëruar, të varfëruar, të pashpresë, të tërbuar. Duar, kthetra e ganxha dilnin nga lëmshet e zgjateshin lart për ta kapur. Një mijë të zezat kërcyen me përpëlitje drejt tij, me dallgë ligësie, e gati sa s’e mbërthyen aty majë faqes së greminës. Plaku u shmang me shkathtësi dhe u ngjit nxitimthi lart. Djali, që e priste aty duke buzëqeshur, i tha:
– Eja tani, se kam mrekulli pa fund për të të treguar.
-Por unë s’mbaj mend asgjë. S’di ç’kam qenë, ç’kam bërë. – tha plaku me sytë nga oqeani i tërbuar i lëmsheve.
Djali s’foli, por buzëqeshi dhe nisi prapë vrapin e shfrenuar. Plaku e ndoqi, i lehtë si era.

Create a free website or blog at WordPress.com.